31.05.2026
1 min read

10 euro për hyrje në Prishtinë me veturë, Komuna propozon taksë të re për qytetarët nga komunat tjera

Komuna e Prishtinës ka propozuar ndryshime në Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, përmes të cilave parashihet vendosja e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë territorit të kryeqytetit që hyjnë në zonën e përcaktuar nga Komuna.

Sipas draft-rregullores, pagesa do të mund të bëhet në pika të autorizuara hyrëse, përmes sistemit elektronik ose platformave të tjera të miratuara nga Kryeqyteti. Nga kjo taksë pritet të përjashtohen automjetet emergjente, ato të institucioneve publike gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, automjetet e banorëve rezidentë të Prishtinës dhe kategori të tjera që mund të përcaktohen me vendim të veçantë.

Në të njëjtin draft është paraparë edhe një taksë akomodimi prej 1 euro për çdo natë qëndrimi në hotel apo strukturë tjetër akomoduese në Prishtinë. Kjo taksë do të mblidhej nga subjektet hoteliere në momentin e pagesës së shërbimit dhe do të paraqitej si zë i veçantë në faturë.

Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe rritje të taksave për disa kategori biznesesh, përfshirë veprimtari farmaceutike dhe motele, ndërsa për institucionet mikrofinanciare është propozuar ulje e taksës nga 1000 në 500 euro.

Propozimi ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarë, banorë të Prishtinës dhe aktivistë. Disa e kanë cilësuar masën të padrejtë dhe të rëndë për qytetarët që punojnë, studiojnë apo kanë nevojë të hyjnë çdo ditë në kryeqytet. Sipas tyre, një tarifë e tillë mund të krijojë precedent që edhe komunat e tjera të vendosin masa të ngjashme.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka vlerësuar se masa mund të cenojë parime kushtetuese, pasi sipas tij, ajo favorizon një kategori qytetarësh dhe përjashton të tjerët nga qasja e barabartë në kryeqytet.

Megjithatë, ka edhe qytetarë që e mbështesin propozimin, duke thënë se një taksë e tillë mund të ndikojë në uljen e ngarkesës së trafikut në Prishtinë.

Draft-rregullorja është në konsultim publik deri më 24 qershor. Pas kësaj date, ndryshimet duhet të procedohen dhe të miratohen nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mënyrë që të hyjnë në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Qeveria reagon për protestat në Zvërnec, Rama: Shteti nuk po fal asgjë

Next Story

Hoti: Dështimi i “Kosovës së Re” dhe centralit me gaz ishte veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan

Latest from Blog

Go toTop