18.05.2026
2 mins read

Lea Ypi sjell titullin e saj të radhës“Dinjiteti”: Kujtesa, rezistenca dhe frika për Europën e sotme

Filozofja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi ka prezantuar në Panairin e Librit në Torino 2026 librin e saj të ri “Dinjiteti”, botuar nga Feltrinelli, ku përmes historisë së gjyshes së saj, Leman Ypi, trajton temat e rezistencës, kujtesës, dinjitetit dhe krizës politike të Europës.

Në qendër të librit është figura e Leman Ypit, një gruaje që kishte humbur familjen, statusin, pushtetin dhe kontaktet shoqërore, por që, sipas autores, kishte ruajtur atë që e konsideronte më të rëndësishmen: dinjitetin.

“Gjyshja ime e konceptonte dinjitetin si një cilësi morale, të lidhur me forcën e vullnetit, diçka që askush nuk mund të ta marrë, as në burg, as në gulag, as në kamp përqendrimi”, ka thënë Ypi për ANSA-n.

Sipas saj, dinjiteti mbetet thelbi i rezistencës edhe në rrethana ekstreme, kur regjimet përpiqen ta zhveshin njeriun nga gjithçka. Ypi thekson se aftësia për të rezistuar ndaj tiranisë është e domosdoshme edhe sot, në një kohë kur shumë njerëz ndihen të pafuqishëm përballë oligarkëve, regjimeve autoritare dhe strukturave të forta të pushtetit.

Duke folur për të rinjtë, Ypi ka kundërshtuar idenë se ata nuk kanë dëshirë për ndryshim apo nuk mendojnë për të ardhmen. Sipas saj, problemi qëndron te mungesa e formave të organizimit politik që do t’u mundësonin të vepronin bashkërisht, në solidaritet, dhe jo të mbeteshin të izoluar në hapësirën e rrjeteve sociale.

Libri “Dinjiteti” ndërthur historinë familjare të autores me historinë politike të Europës, nga rënia e perandorive deri te shembja e komunizmit, duke ofruar një reflektim filozofik mbi rolin e dinjitetit në jetën personale dhe politike.

Ypi është ndalur edhe te gjendja aktuale e Europës, duke thënë se kontinenti ndodhet në një udhëkryq. Ajo ka theksuar se Europa ka nevojë për më shumë pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, por ka paralajmëruar se riarmatimi nuk duhet të jetë përgjigjja e parë.

“Riarmatimi dhe mbrojtja duhet të jenë hapi i fundit, jo i pari. Para se të mbrohesh, duhet të kesh diçka për të mbrojtur”, ka deklaruar ajo.

Një pjesë e rëndësishme e librit lidhet edhe me mënyrën se si shoqëritë e trajtojnë kujtesën, arkivat dhe përgjegjësinë ndaj së kaluarës. Frymëzimi për veprën nisi nga një fotografi e gjyshes së saj gjatë muajit të mjaltit në vitin 1941, e cila u publikua në rrjete sociale nga një person që autorja nuk e njihte.

Ypi thotë se botimi i librit të saj të mëparshëm, “Të lirë”, kishte hapur debate në Shqipëri për mënyrën se si ajo e trajtonte konceptin e lirisë, por edhe për familjen dhe figurën e gjyshes së saj. Sipas saj, kur jeta e një personi të vdekur keqpërdoret ose deformohet publikisht, lind përgjegjësia për ta rikthyer të vërtetën në vend.

Autorja thekson se kërkimi për librin është historik dhe arkivor, por njëkohësisht ngre pyetje mbi pushtetin që fshihet pas burimeve dhe arkivave. Për Ypin, letërsia është mjeti që na ndihmon të mendojmë në mënyrë kritike për të kaluarën dhe për boshllëqet që historia zyrtare shpesh i lë pas.

“Në fund, nuk është e rëndësishme vetëm çfarë gjejmë, por si e tregojmë. Gjyshja ime thoshte gjithmonë: e rëndësishme nuk është çfarë kujtojmë, por si kujtojmë”, ka përfunduar Ypi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

10 pozita në QKMF-në e Shtimes u mbajtën me ushtrues detyre më shumë se dy vite

Next Story

Ish-deputeti Milaim Zeka është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Shmangie nga tatimi”

Latest from Blog

Go toTop