Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur një fushatë parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion gjatë sezonit vjeshtë-dimër, nën moton “Pak më ngadalë, shumë më sigurt!”.
Fushata synon ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe përshtatjes së shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe rrugore.
Gjatë kësaj periudhe, reshjet e shiut, mjegulla, bora dhe temperaturat e ulëta mund të ndikojnë në dukshmërinë dhe gjendjen e rrugëve, duke rritur rrezikun e aksidenteve.
Përmes kësaj fushate, Policia synon t’u rikujtojë pjesëmarrësve në komunikacion rëndësinë e kujdesit të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, veçanërisht në rrugë të lagështa dhe me ngrica.
Mesazhi kryesor i fushatës është ulja e shpejtësisë dhe respektimi i masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.