Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson dhe senatori Roger Wicker i kanë dërguar një letër presidentit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber, duke kërkuar përjashtimin e Partisë Progresive Serbe (SNS) nga kjo familje politike evropiane.
Dy ligjvënësit amerikanë kërkojnë që SNS-së t’i revokohet statusi i anëtarit të asociuar dhe të ndërpritet bashkëpunimi i EPP-së me partinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
SNS është pjesë e EPP-së si anëtare e asociuar që nga viti 2016 dhe vazhdon të figurojë në listën zyrtare të partive partnere të kësaj organizate.
Në letrën drejtuar Weberit, Wilson dhe Wicker kanë ngritur shqetësime për proceset zgjedhore në Serbi, sundimin e ligjit, lirinë e medias, si dhe për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë dhe Kinën.
Ata i janë referuar edhe vlerësimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 në Serbi, duke ngritur çështjen e kushteve zgjedhore dhe të zbatimit të rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Kërkesa e ligjvënësve amerikanë vjen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 25 tetor.
Ndërkohë, EPP kishte nisur në shtator të vitit 2025 një shqyrtim të brendshëm lidhur me rolin dhe statusin e SNS-së brenda familjes politike evropiane. Në atë kohë, organizata kishte sqaruar se bëhej fjalë për një proces të brendshëm dhe jo për një procedurë formale pezullimi apo përjashtimi.
Aktualisht, SNS vazhdon të figurojë në listën zyrtare të EPP-së me statusin “Associated Member Party”.