Inspektorati i Mjedisit i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka konstatuar shkelje mjedisore në operatorin SH.P.K. “Drena” në Skenderaj, prodhues i lëngjeve “RUKO” dhe produkteve të bylmetit “Drena”.
Sipas ministres së MMPH-së, Fitore Pacolli, për prodhimin e lëngjeve kompania shfrytëzonte katër puse dhe përdorte deri në 10 mijë litra ujë në ditë, pa u pajisur me Leje Ujore. Ujërat e përdorura, sipas njoftimit, shkarkoheshin pranë lumit Klina.
Për këtë shkelje, shfrytëzimi i ujit për linjën e prodhimit të lëngjeve është ndërprerë. Kompania nuk do të mund ta vazhdojë këtë veprimtari derisa të pajiset me Leje Ujore.
Shkelje janë evidentuar edhe në linjën e përpunimit të qumështit. Për mungesë të impiantit për trajtimin e ujërave të përdorura, operatori është gjobitur me 3 mijë euro dhe është obliguar ta vendosë e funksionalizojë impiantin.
“Bizneset vendore duhet të zhvillohen dhe të rriten, por duke respektuar ligjin dhe duke mbrojtur pasuritë tona natyrore”, ka deklaruar Pacolli.