08.09.2026
4 mins read

Bashkëpunëtor i BIA-s serbe, informacione për UÇK-në dhe vrasjet gjatë luftës – çka thuhet në aktgjykimin ndaj Hysri Selimit

Screenshot

Gjykata Themelore në Prishtinë ka publikuar aktgjykimin ndaj Hysri Selimit, i dënuar në shkallë të parë me gjashtë vjet burgim për veprën penale të spiunazhit. Në aktgjykim jepen detaje për bashkëpunimin e tij me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA, i cili, sipas Gjykatës, kishte nisur në vitin 2009 dhe kishte vazhduar deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025.

Sipas aktgjykimit, Selimi ishte rekrutuar nga BIA dhe kishte ndihmuar shërbimin serb përmes mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve. Gjykata ka konstatuar se një gjë e tillë dëshmohet, ndër të tjera, nga tri raporte të ekzaminimit të telefonave të tij.

Në vendim thuhet se informacionet e mbledhura kishin të bënin me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat që kishin marrë pjesë në luftën në Siri, të kthyerit nga Siria dhe familjarët e tyre, si dhe me grupet radikale fetare në Kosovë, financimin dhe organizimin e tyre.

Gjykata është mbështetur edhe në deklaratën që Selimi kishte dhënë në Prokurori. Sipas aktgjykimit, ai kishte deklaruar se nga BIA i ishte kërkuar të bëhej dëshmitar kundër UÇK-së, kërkesë të cilën pretendonte se nuk e kishte pranuar. Megjithatë, sipas Gjykatës, Selimi kishte pranuar se për interesat e BIA-s kishte mbledhur informacione nga persona të ndryshëm lidhur me UÇK-në.

Një nga elementet që Gjykata e ka konsideruar të rëndësishëm për përcaktimin e shkallës së përfshirjes së tij në aktivitetin e spiunazhit lidhet me udhëtimin e Selimit në Siri.

Sipas aktgjykimit, Selimi kishte pranuar që, sipas kërkesave dhe detyrave të përcaktuara nga BIA, të shkonte në Siri dhe t’i bashkohej ISIS-it me qëllim të sigurimit të informacioneve për shqiptarët që ishin pjesë e kësaj organizate, rajonet ku vepronin, personat që i udhëhiqnin dhe të dhëna të tjera.

Gjykata ka përmendur edhe aktgjykimin e 23 dhjetorit 2022, me të cilin Selimi ishte shpallur fajtor për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” dhe ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim, dënim që ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Bashkëpunimi me BIA-n, sipas Gjykatës, nisi në vitin 2009

Në aktgjykim thuhet se bashkëpunimi i Selimit me BIA-n kishte filluar në nëntor të vitit 2009. Në deklaratën e tij në Prokurori, ai kishte treguar se përmes një deputeti kishte vendosur kontaktet e para me një zyrtar të BIA-s me inicialet S.K., të njohur si “C.”.

Sipas Gjykatës, mes tyre ishte arritur marrëveshja fillestare për bashkëpunim. Me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër gjatë vitit 2012, bashkëpunimi kishte vazhduar deri në arrestimin e Selimit më 6 maj 2025.

Gjykata ka konstatuar se bëhet fjalë për veprën penale të spiunazhit në vazhdimësi, pasi veprimet e kryera ndër vite kishin lidhshmëri kohore dhe mbështeteshin në të njëjtën dashje të kryerësit.

Sipas trupit gjykues, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe deklarimet e të pandehurit ishte vërtetuar se Selimi kishte kryer veprën penale të spiunazhit.

Më 15 qershor 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Selimin me gjashtë vjet burgim. Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska, kryetar, si dhe Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti, anëtarë. Aktgjykimi është përpiluar më 15 korrik 2026.

Prokuroria: 700 euro në muaj dhe premtim për blerjen e një shtëpie

Selimi ishte arrestuar më 6 maj 2025, ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 11 shtator të atij viti.

Sipas aktakuzës, ai ishte rekrutuar nga BIA për të mbledhur dhe transmetuar informacione lidhur me ish-pjesëtarët e UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, radikalizmin fetar në Kosovë dhe personat që kishin marrë pjesë në luftën në Siri.

Prokuroria pretendonte se Selimi ishte pajisur me tre telefona të mençur dhe kishte marrë mjete financiare, ndërsa i ishte premtuar edhe blerja e një shtëpie.

Sipas PSRK-së, pas kthimit nga Siria ai kishte vazhduar takimet me zyrtarë të drejtorisë kundër terrorizmit brenda BIA-s në pjesë të ndryshme të territorit të Serbisë. Qëllimi i këtyre takimeve, sipas aktakuzës, ishte dhënia e informacioneve për personat e radikalizuar, rrymat vehabiste në Kosovë dhe funksionimin e mesxhideve.

Prokuroria pretendonte se Selimi paguhej rreth 700 euro në muaj për këtë veprimtari.

PSRK kishte siguruar gjithashtu informacione nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë lidhur me personat me të cilët Selimi dyshohej se takohej. Si prova ishin përdorur edhe të dhënat për hyrje-daljet e tij ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe materialet e siguruara përmes masave të fshehta.

Nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar, sipas aktakuzës, ishin gjetur materiale të ndryshme, përfshirë pamje lidhur me sekuestrimin e armatimit në Banjskë, video të personave gjatë faljes së namazit të xhumasë në një xhami në Prishtinë dhe materiale për persona për të cilët pretendohej se kishin pozita të larta në Gjykatën Speciale.

Prokuroria pretendonte gjithashtu se Selimi kishte transmetuar informacione për personat që frekuentonin xhamitë, imamët dhe familjarët e personave që kishin qenë në Siri.

Sipas aktakuzës, gjatë intervistimit në Prokurori, Selimi kishte pranuar se aktivitetin e kishte zhvilluar për arsye financiare, duke pretenduar se nuk kishte pasur qëllim të dëmtonte interesat e Kosovës. Ai kishte deklaruar se në vitin 2009 paguhej nga 100 euro për informacionet që siguronte, përfshirë të dhëna nga burime të hapura lidhur me krerët e UÇK-së.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 23 shtator 2025, megjithatë, Selimi nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzën e Prokurorisë Speciale.

“Jom i pafajshëm në tërësi”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Arrestohet drejtori i Pronës në Fushë Kosovë bashkë me katër zyrtarë të tjerë

Next Story

Në mesin e pesë të arrestuarve për pronën 1.5 milionëshe në Fushë Kosovë edhe drejtori i Valon Prebrezës së VV-së

Latest from Blog

Go toTop