14.09.2026
1 min read

PDK çon Kuvendin në Kushtetuese, konteston zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimin e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa vendimeve dhe procedurave të ndjekura gjatë konstituimit të Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

PDK pretendon se gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit ka pasur shkelje të rendit kushtetues, ndërsa kërkon nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse procedurat dhe vendimet e ndërmarra kanë qenë në përputhje me Kushtetutën.

Tahiri deklaroi se adresimi i çështjes në Kushtetuese vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke theksuar se interpretimi përfundimtar i Kushtetutës duhet t’i takojë institucionit kompetent dhe jo kalkulimeve politike.

Ndërkaq, deputeti Përparim Gruda tha se përmes kësaj kërkese synohet që funksionimi i institucioneve të rikthehet, sipas PDK-së, në përputhje me rendin kushtetues.

PDK kërkon edhe masë të përkohshme

Krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e një mase të përkohshme, përmes së cilës synohet pezullimi i hapave të mëtejshëm institucionalë deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata.

Avokati Faton Fetahu tha se masa e përkohshme kërkohet për të shmangur, sipas tij, krijimin e pasojave të tjera juridike dhe institucionale gjatë kohës sa çështja është në shqyrtim.

Në kërkesën e dorëzuar kontestohen tri çështje kryesore: vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.

PDK kërkon që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë nëse këto vendime dhe procedura janë në përputhje me Kushtetutën, si dhe cilat do të ishin pasojat juridike në rast të konstatimit të shkeljeve.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar gjithashtu se të mërkurën do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese me një çështje tjetër, këtë herë lidhur me procesin e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Qeveria e re nis punën: Sot mbahet mbledhja e parë

Next Story

Përparim Rama ngre akuza: Me urdhër direkt të Ministrisë së Sportit u përjashtova nga fjala në forumin për Lojërat Mesdhetare 2030

Latest from Blog

Go toTop