Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar parregullsi në zbatimin e një kontrate publike prej 1,770,554 euro, që lidhet me projektin “Renovimi i objektit të depos së barnave dhe ndërtimi i aneksit” në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, kontrata iu dha operatorit ekonomik që kishte ofruar çmimin më të lartë në garë, pasi ai u vlerësua me pikë shtesë për planin dinamik të realizimit të punimeve dhe garancionin e ofruar.
Megjithatë, auditori ka konstatuar se punimet nuk u përfunduan brenda afatit kontraktual prej 180 ditësh. Përkundrazi, pak para përfundimit të afatit, operatori ekonomik paraqiti kërkesë për rishikimin e kushteve kontraktuale dhe zgjatjen e afatit të realizimit, duke arsyetuar se autoriteti kontraktues nuk i kishte përmbushur obligimet e tij.
Raporti thekson se, deri në fund të vitit 2025, për projektin ishin realizuar pagesa në vlerë 1,779,376 euro, ndërsa punimet ende nuk kishin përfunduar.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, vonesat kanë ardhur si pasojë e mungesës së planifikimit dhe monitorimit efektiv të zbatimit të kontratës, si dhe mungesës së mekanizmave për të siguruar respektimin e planit dinamik të paraqitur gjatë tenderimit.
Auditori vlerëson se kërkesa për ndryshimin e kushteve kontraktuale dhe zgjatjen e afatit pas nënshkrimit të kontratës cenon parimin e barazisë në trajtimin e operatorëve ekonomikë dhe integritetin e procesit të prokurimit publik. Gjithashtu, vonesat në realizimin e projektit rrezikojnë të bartin obligime financiare edhe në vitet pasuese.
Për këtë rast, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të forcojë monitorimin e zbatimit të kontratave publike dhe të sigurojë respektimin rigoroz të afateve dhe planeve dinamike të ofruara gjatë procedurave të prokurimit.