Gjatë procesit të rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), janë ngritur dyshime për parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor që lidhen me Listën Serbe.
Sipas informacioneve të raportuara, janë identifikuar një numër i konsiderueshëm fletëvotimesh të plotësuara me shkrim dhe model të njëjtë, ndërsa në disa raste janë vërejtur shenja identike, përfshirë simbolin e barazimit dhe shënime të tjera të përsëritura.
Dyshime të ngjashme janë evidentuar në disa komuna me shumicë serbe. Gjithashtu, gjatë verifikimit të listave të votuesve, ku qytetarët nënshkruhen para votimit, janë vërejtur nënshkrime të njëjta ose shumë të ngjashme mes tyre.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës për hetime të mëtejshme.
Në denoncimin e dorëzuar thuhet se gjatë rinumërimit të kutisë së votimit për vendvotimin 3602/02 në Komunën e Parteshit janë gjetur tri raste të ndryshme të fletëvotimeve me model të njëjtë shënjimi. Po ashtu, në listën përfundimtare të votuesve për këtë vendvotim janë identifikuar nënshkrime të ngjashme, të cilat pritet të verifikohen nga institucionet kompetente.
Sipas denoncimit, raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Graçanicë, në vendvotimet 3401/01 dhe 3403/01, si dhe në Zveçan, në vendvotimin 2905/01.

