19.06.2026
1 min read

Auditimi zbulon parregullsi milionëshe në ministrinë e drejtuar nga ish-ministrat në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025 ka evidentuar një sërë parregullsish financiare, administrative dhe të prokurimit publik në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e cila gjatë pjesës më të madhe të vitit drejtohej nga Liburn Aliu, ndërsa më pas nga Hysen Durmishi.

Sipas auditorëve, regjistri i pasurive kapitale nuk paraqet gjendjen reale të aseteve, pasi pasuritë janë mbivlerësuar për mbi 41 milionë euro dhe nënvlerësuar për afro 978 mijë euro. Një nga rastet kryesore lidhet me projektin e zgjerimit të pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i regjistruar si pasuri e ministrisë ndonëse nuk ishte në pronësi të saj.

Auditimi ka evidentuar gjithashtu pagesa prej afro 470 mijë eurosh për 61 persona të angazhuar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, pa dokumentacion të mjaftueshëm që dëshmonte angazhimin dhe vijueshmërinë e tyre në punë.

Parregullsi janë gjetur edhe në prokurimin publik. Sipas raportit, kontrata me vlerë mbi 15.7 milionë euro janë dhënë operatorëve ekonomikë që nuk kishin dëshmuar plotësimin e kritereve të kërkuara në dosjet e tenderit. Shkelje janë konstatuar në projekte rrugore milionëshe, përfshirë segmentet Dollc–Zahaq dhe Kishnicë–Bresalc.

Po ashtu, auditorët kanë gjetur raste kur kontrata për projekte infrastrukturore janë nënshkruar pa leje ndërtimore paraprake, duke rritur rrezikun për pasoja financiare dhe vonesa në realizimin e punimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Dyshime për manipulim votash nga Lista Serbe, rasti denoncohet në Polici

Next Story

Ky është i riu që humbi jetën tragjikisht nga aksidenti në Vushtrr

Latest from Blog

Go toTop