15.06.2026
1 min read

Rriten sulmet ndaj gazetarëve, AGK publikon tri raporte shqetësuese

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka prezantuar të dielën tri raporte që pasqyrojnë gjendjen dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët në Kosovë, duke përfshirë kushtet financiare, cenimin e të drejtave profesionale dhe rritjen e sulmeve, veçanërisht në hapësirën digjitale.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se adresimi i sulmeve ndaj gazetarëve mbetet një nga prioritetet kryesore të organizatës, ndërsa u bëri thirrje politikanëve dhe institucioneve qeveritare të ndalin fushatat denigruese ndaj mediave dhe gazetarëve.

“Thirrja jonë e vazhdueshme është që politikanët dhe qeveria të ndalin sulmet dhe fushatat publike kundër gazetarëve, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e tyre. Ankesat eventuale duhet të trajtohen përmes institucioneve përkatëse dhe KMSHK-së si organ i pavarur vetërregullues”, deklaroi Rexha.

Ai u shpreh kritik edhe ndaj Komisionit të Pavarur për Media (KPM), duke thënë se AGK nuk i inkurajon më palët që t’i drejtohen këtij institucioni për ankesa.

Sipas tij, vendimet e fundit të KPM-së kanë ngritur dyshime serioze për pavarësinë e institucionit dhe ndikimin politik në proceset e vendimmarrjes.

Rexha theksoi se rekomandimet e raporteve kërkojnë ndalimin e praktikave që pengojnë punën e gazetarëve dhe trajtimin me prioritet nga organet e drejtësisë të rasteve të sulmeve ndaj tyre.

Në prezantim mori pjesë edhe Jerome Bouyjou, Shef i të Drejtave të Njeriut në UNMIK dhe përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Ai vlerësoi rëndësinë e këtyre raporteve për monitorimin e lirisë së shprehjes dhe medias në vend, duke bërë thirrje për hetime të shpejta dhe efektive të sulmeve ndaj gazetarëve.

Raporti i parë mban titullin “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025”, raporti i dytë “Raporti i Monitorimit të Medias dhe Gjuhës së Urrejtjes”, ndërsa raporti i tretë “Siguria e Gazetarëve dhe Liria e Medias në Kosovë”, i cili analizon zhvillimet dhe sfidat e gazetarëve përgjatë periudhës 2021–2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burgim për konflikt interesi

Next Story

Paguhej 700 euro në muaj nga BIA serbe – Hysri Selimi dënohet për spiunazh me vetëm 6 vite burg

Latest from Blog

Go toTop