Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”.
Vendimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, me anëtarë Medie Bytyqi dhe Kujtim Krasniqi.
Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk janë plotësuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për të cilën ishte akuzuar fillimisht Shala. Për këtë arsye, gjykata e ricilësoi veprën penale në “Konflikt interesi”, sipas nenit 417 të Kodit Penal të Kosovës, dhe e shpalli fajtor.
Dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë. Përveç kësaj, Shala është obliguar të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Ish-ministri Shala nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Endrit Shala, gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Tregtisë dhe Industrisë, kishte miratuar vendimin për emërimin e operatorit ekonomik “Euro Inspekt”, në pronësi të Valdet Teneqes, si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë.
Prokuroria pretendonte se Teneqe ishte baxhanaku i Shalës dhe se vendimi ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit. Sipas akuzës, përmes këtij vendimi ishte mundësuar realizimi i përfitimeve financiare në vlerë prej mbi 732 mijë eurosh për kompaninë në fjalë.
Rasti lidhet me hetimet ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2024 për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Shala ka ushtruar detyrën e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018–2020.