15.06.2026
1 min read

Paguhej 700 euro në muaj nga BIA serbe – Hysri Selimi dënohet për spiunazh me vetëm 6 vite burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Hysri Selimin për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim.

Vendimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska, me anëtarët Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti. Përveç dënimit me burg, Selimi është obliguar të paguajë 100 euro paushall gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykata ka vendosur gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Selimi nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Selimi dyshohej se nga viti 2009 deri në arrestimin e tij në maj të vitit 2025 kishte bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione që lidhen me ish-pjesëtarë të UÇK-së, krimet e luftës, personat e radikalizuar dhe pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në konfliktin në Siri.

Aktakuza pretendon se ai ishte rekrutuar nga zyrtarë të BIA-s, të cilët e kishin pajisur me telefona celularë, mjete financiare dhe i kishin premtuar edhe blerjen e një shtëpie. Në këtë kuadër, më 22 nëntor 2015, ai kishte udhëtuar në Siri përmes Turqisë, me detyra të caktuara nga ky shërbim inteligjent.

Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë qëndrimit në Siri ai iu bashkua organizatës terroriste ISIS dhe më pas u dërgoi zyrtarëve serbë informacione për numrin, organizimin dhe veprimtarinë e shqiptarëve që operonin në radhët e kësaj organizate.

Prokuroria pretendon se edhe pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar kontaktet me zyrtarë të BIA-s në qytete të ndryshme të Serbisë, përfshirë Vranjën, Nishin dhe Bujanocin. Atyre, sipas aktakuzës, u kishte ofruar informacione për personat e radikalizuar, zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, funksionimin e mesxhideve dhe çështje të tjera me interes për shërbimin serb.

Si kompensim për këto aktivitete, aktakuza thotë se Selimi merrte deri në 700 euro në muaj dhe pajisej me telefona të mençur për komunikim me zyrtarët e BIA-s.

Sipas Prokurorisë Speciale, këto veprime kanë cenuar rëndë sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke ndihmuar gjithashtu krijimin e narrativave që dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Rriten sulmet ndaj gazetarëve, AGK publikon tri raporte shqetësuese

Next Story

Dosja e PSRK-së për masakrën e Reçakut: Vrasje, tortura, djegie shtëpish dhe dëbim masiv – paraburgim për pesë të dyshuarit

Latest from Blog

Go toTop