Një incident i rëndë që mund të kishte përfunduar me pasoja fatale ka ndodhur të enjten në mesditë në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një autobus i linjës Pagarushë–Malishevë është qëlluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Sinjali, Policia është njoftuar rreth orës 12:10 për të shtëna të drejtuara ndaj autobusit, duke rrezikuar sigurinë e udhëtarëve dhe të shoferit.
Pas reagimit të menjëhershëm në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë arrestuar një person të dyshuar, 57-vjeçarin S.M.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë arrestimit janë sekuestruar një armë automatike e tipit AK-47, një karikator dhe nëntë fishekë të kalibrit 7.62 milimetra.
Hetimet fillestare kanë konstatuar se autobusi është goditur në mbi pesë vende nga predhat, por për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.
Në këtë rast si palë e dëmtuar figuron V.S., ndërsa motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur nga autoritetet.
Me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.