Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ishin vullnet i Lëvizjes Vetëvendosje, por është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur, duke theksuar se partia e tij ka dalë sërish forca më e madhe politike në vend.
Në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, Kurti tha se kjo paraqet fitoren e pestë të LVV-së brenda shtatë viteve të fundit.
“Zgjedhjet na u imponuan, ne nuk i dëshironim. Megjithatë, kemi dalë sërish të parët. Kjo është fitorja jonë e pestë në shtatë vitet e fundit. Aktualisht kemi 43 për qind të votave, pa u përfshirë ende votat e diasporës”, u shpreh ai.
Kurti bëri të ditur se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, LVV-ja do të nisë konsultimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
“Po presim rezultatin përfundimtar dhe më pas do të zhvillojmë bisedime me partitë e tjera. Në mandatin e kaluar kemi pasur përfaqësues të të gjitha komuniteteve etnike në qeveri dhe besoj se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Kurti.