Auditori ka konstatuar se Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2025 ka ndarë subvencione dy herë për të njëjtën organizatë joqeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregulloren komunale në fuqi.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), e njëjta OJQ ka përfituar 13,100 euro për organizimin e aktivitetit “Muaji i Mërgatës” dhe 7,500 euro të tjera për “Aktivitete rinore dhe kulturore”.
Auditori thekson se Rregullorja Komunale për Ndarjen e Subvencioneve, konkretisht neni 5, pika 2, përcakton qartë se një përfitues mund të subvencionohet vetëm një herë brenda vitit.
Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga zyrtarët përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të organizatave brenda vitit buxhetor.
Auditori vlerëson se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren rrit rrezikun e trajtimit të pabarabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e organizatave të tjera për të përfituar mbështetje financiare.
Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që kryetari i komunës të sigurojë verifikimin e plotë të përfitimeve paraprake para miratimit të subvencioneve, me qëllim parandalimin e financimit të shumëfishtë të të njëjtit përfitues brenda vitit.
Komuna e Skenderajt është pajtuar me këtë gjetje të Auditorit.
Ndërkohë, Komuna ka marrë opinion të kualifikuar në auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2025, që nënkupton se pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.
Raporti i auditimit përmban gjithsej 11 rekomandime, prej të cilave dy janë të reja, tetë të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Nga 11 rekomandimet e dhëna në raportin e vitit 2024, deri në përfundim të auditimit, Komuna kishte zbatuar vetëm dy, një ishte në proces zbatimi, ndërsa tetë të tjera mbeteshin të pazbatuara.