Një grabitje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ferizaj, ku cak i autorëve ka qenë Qendra e Kontrollit Teknik “Fitorja”, në rrugën “Driton Islami”.
Sipas burimeve, tre persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë në objekt dhe kanë arritur të marrin një kasafortë, e cila dyshohet se përmbante rreth 330 mijë euro para të gatshme, dokumentacion të biznesit dhe një pistoletë me leje.
Policia është njoftuar rreth orës 03:00 për një vjedhje në progres, ndërsa njësitë patrulluese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sigurimi i objektit ka deklaruar se kishte vërejtur një veturë BMW ngjyrë hiri, pa targa, në të cilën ndodheshin tre persona të maskuar. Sipas deklarimit të tij, autorët e kanë kërcënuar që të largohej, e më pas kanë hyrë brenda objektit.
Grabitësit fillimisht kanë depërtuar në zyrat e qendrës, më pas kanë arritur te kasaforta, të cilën e kanë nxjerrë jashtë objektit, e kanë ngarkuar në veturë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrethit me shqiponjë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia rajonale e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë bartur te Njësia Rajonale e Hetimeve.
Policia po punon për identifikimin e të dyshuarve dhe gjetjen e kasafortës së marrë.