Hetimet për zjarrin e madh që përfshiu punëtorinë “Eco Motors” në Ferizaj kanë marrë drejtim tjetër, pasi nga pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një cigare e hedhur nga një person ende i paidentifikuar.
Siç mëson Gazeta Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 31 maj, rreth orës 23:10, në rrugën “Astrit Bytyqi”, ku zjarri përfshiu punëtorinë e automjeteve “Eco Motors”, në pronësi të Kastriot Lekës, si dhe tri shtëpi në afërsi.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas ekzaminimeve të kryera nga Sektori Rajonal i Hetimeve dhe krimteknikët, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia e një personi. Gjatë analizimit të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë vërejtur se pak para shpërthimit të zjarrit, një person dyshohet se nga dritarja e një shtëpie pranë biznesit ka hedhur një cigare, e cila mund të ketë ndezur materialet përreth dhe më pas ka përhapur flakët.
Si pasojë e zjarrit, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Pronari i biznesit ka deklaruar se dëmi në punëtori arrin rreth 50 mijë euro, ndërsa dëmet në tri shtëpitë e prekura, në pronësi të familjarëve M. S. dhe A. L., sipas pronarëve, vlerësohen në rreth 60 mijë euro të tjera.
Për shkak të rrethanave të reja të zbuluara gjatë hetimeve, Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të mos trajtohet më si “incident zjarri”, por të hetohet si vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetuesit po vazhdojnë punën për identifikimin e personit që dyshohet se hodhi cigaren, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në zjarrin me dëme të mëdha materiale.