Një zyrtar i Komunës së Kllokotit është vënë nën hetim nën dyshimin se për disa vite ka përfituar pagë nga buxheti publik pa u paraqitur në vendin e punës.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se i dyshuari është Strahinja Spasic, i sistemuar si zyrtar në Bibliotekën Komunale të Kllokotit.
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë siguruar prova dhe dokumente zyrtare që ngrenë dyshime se Spasic nuk është paraqitur në punë, ndërsa ka vazhduar të marrë pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Hetimet dyshohet se kanë konstatuar se gjatë periudhës 2019–2026, ai ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 39 mijë e 232 euro e 21 cent, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Kllokotit.
Për këtë rast, Spasic dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
I dyshuari është intervistuar dje në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit të çështjes i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.