Një delegacion i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kongresisti republikan Keith Self, ka mbërritur në Kosovë në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pas ardhjes në Kosovë, delegacioni ka qëndruar në kampin Bondsteel, ku është pritur nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Prattipati ka mirëpritur delegacionin e Kongresit amerikan, i cili gjatë qëndrimit në Bondsteel është takuar me ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it dhe me Grupin Mbështetës për Ballkanin.
“Delegacioni kaloi pasditen në Kampin Bondsteel, ku u takua me ushtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it dhe Grupit Mbështetës për Ballkanin”, thuhet në njoftim.
Para se të arrinin në Kosovë, kongresistët amerikanë të martën në mëngjes kishin vizituar Luginën e Preshevës.
Kongresisti Keith Self, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe kongresisti Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomitetit për Ushtri dhe Punë të Jashtme, po zhvillojnë vizitë në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Të hënën, ata kanë qëndruar në Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Serbi, ndërsa vizitën rajonale po e vazhdojnë edhe në Kosovë.