Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë për vitin 2025, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të raportuara nga World Atlas.
Sipas këtij raportimi, Kosova ka një GDP për kokë banori prej rreth 20,400 dollarësh ndërkombëtarë, e llogaritur në bazë të paritetit të fuqisë blerëse.
Në vendin e parë renditet Moldavia, me rreth 19,700 dollarë për kokë banori, ndërsa Ukraina zë vendin e tretë me rreth 21,000 dollarë.
Në artikull thuhet se ekonomia e Kosovës mbështetet kryesisht në sektorin e shërbimeve, ndërtim dhe remitanca nga diaspora, veçanërisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Këto remitanca përbëjnë rreth 15 për qind të PBB-së.
Po ashtu, theksohet se papunësia te të rinjtë mbetet rreth 30 për qind, ndërsa njohja e kufizuar ndërkombëtare vazhdon të paraqesë pengesë për investimet e huaja dhe integrimin e plotë në institucione ndërkombëtare.