Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 17.05.2026, ka pranuar një informatë për dëmtimin e monumentit të UÇK-së në vendin e quajtur “Guri i Shpuar”, në Kaçanik.
Sipas Policisë, nga hetimet e para dyshohet se monumenti është dëmtuar nga persona ende të panjohur, ndërsa koha e saktë e ngjarjes nuk dihet.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në afërsi të monumentit është vërejtur edhe një zjarr, i cili dyshohet se ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave.
“Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të policisë”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe OVL e UÇK-së, dega në Kaçanik, e cila ka dënuar ashpër dëmtimin e monumentit.
“OVL e UÇK-së, dega në Kaçanik, shpreh indinjatën e thellë për këtë akt barbar dhe e dënon ashpër, kushdo qoftë prapa kësaj vepre të ndytë”, thuhet në reagimin e organizatës.