Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin për një leje të propozuar për eksportimin e pajisjeve, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë brenda Kongresit amerikan, njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit të Shtetit, në bazë të nenit 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Ky nen obligon administratën amerikane që ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.
Në dokumentin e dorëzuar në Kongres nuk janë bërë publike detaje për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që mund të përfshihen në këtë leje.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur disa kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë më fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Kosova edhe më herët është furnizuar me pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë dronë, autoblinda, automjete Humvee dhe ASV. Në vitin 2024, Kosova kishte bërë kërkesë edhe për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.
Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri, proces që nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.