Skenderaj u përfshi mbrëmë nga protesta pas pranisë së shtuar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në lidhje me zhvillimet e fundit rreth rastit mes Sami Lushtakut dhe Hysni Mehanit.
Qytetarë të shumtë dolën në rrugë dhe u mblodhën në disa pjesë të qytetit, duke kundërshtuar praninë e forcave speciale. Në disa zona, sipas raportimeve nga terreni, u pengua edhe lëvizja e policisë.
Për situatën reaguan edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Deputetja Ganimete Musliu iu bashkua qytetarëve dhe kërkoi tërheqjen e policisë, duke pyetur publikisht pse Skenderaj ishte rrethuar nga forcat policore.
Deputetja Ariana Musliu-Shoshi deklaroi se “Skenderaj nuk frikësohet, nuk nënshtrohet dhe nuk harron”, ndërsa kritikoi praninë e Njësisë Speciale dhe qasjen e institucioneve ndaj qytetit.
Reagim pati edhe deputetja Blerta Deliu, e cila tha se zhvillimet e mbrëmjes në Skenderaj “nuk i shërbejnë as drejtësisë, as sigurisë dhe as qetësisë publike”.
Pas disa orësh qëndrimi në qytet, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga Skenderaj në orët e para të mëngjesit. Sipas informacioneve nga terreni, tërheqja e forcave policore ka ndodhur rreth orës 02:30.
Pas largimit të Njësisë Speciale, janë shpërndarë edhe qytetarët që kishin qëndruar të mbledhur gjatë natës.
Deri më tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me zhvillimet në terren.