Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Kishën Katolike në Ferizaj, ku po zhvillohen punimet për restaurimin e saj, të cilat pritet të përfundojnë në fund të këtij muaji.
Gjatë vizitës, Kurti pa nga afër punimet e realizuara në fazën e dytë të restaurimit, duke theksuar se investimi nuk përfshin vetëm objektin e Kishës, por edhe kompleksin përreth saj, oborrin dhe kuvendin e motrave të nderit.
“Kisha Katolike nuk ka qenë vetëm objekt lutjeje dhe besimi, por njëkohësisht edhe vend solidariteti dhe ndihme”, tha Kurti.
Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 1.78 milionë euro. Kisha Katolike e Ferizajt këtë muaj shënon 100-vjetorin e saj.