Në fotografitë e publikuara nga aktivitetet dhe fushata të PDK-së në Ferizaj në mbështetje të Agim Aliut, shihen disa nga kandidatët e pranuar në konkursin për mjekë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj, duke ngritur dyshime serioze për ndikim politik dhe favorizim në procesin e rekrutimit.
Në fotografi shihen disa nga kandidatët e pranuar në konkurs, përfshirë Dr. Arber Aliu, Dr. Alba Kupina, Dr. Anila Heta, Dr. Lorika Abazi, Auron Qerimi!
Sipas Organizatës “Lëvizja për Demokraci”, pjesëmarrja e kandidatëve të përzgjedhur në aktivitete dhe takime të afërta me strukturat politike lokale, para dhe pas procesit të rekrutimit, ngre dyshime për një konkurs të dirigjuar dhe të ndikuar politikisht.
Veçanërisht, organizata ngre shqetësim për rastin e Dr. Lorika Abazit, e cila është vajza e drejtorit Afrim Abazi, çka sipas tyre mund të përbëjë konflikt interesi dhe cenim të parimeve të barazisë dhe meritokracisë në punësim publik.
“Institucionet shëndetësore nuk duhet të shndërrohen në mekanizma për rehati politike dhe punësime të militantëve partiakë”, thuhet në reagimin e organizatës.
“Lëvizja për Demokraci” ka paralajmëruar se të hënën do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetares së komisionit, Dr. Adrijana Ndoja, si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të komisionit vlerësues, nën dyshimet për manipulim të konkursit, favorizim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Organizata “Lëvizja për Demokraci” kërkon nga Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse hetim të plotë mbi procesin e vlerësimit, lidhjet eventuale politike dhe ndikimet që mund të kenë ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve.

