Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Pajazit Tërnavës, nipit të Myftiut Naim Tërnava, si dhe ndaj Arben Gashit dhe Milazim Ahmetit, lidhur me dyshimet për veprat penale “detyrimi” dhe “fajdeja”.
Sipas aktakuzës, Pajazit Tërnava dyshohet se gjatë viteve 2022–2023 në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka detyruar të dëmtuarin B.P. të veprojë në dëm të pasurisë së tij, përmes kanosjeve serioze.
Prokuroria pretendon se rasti lidhet me shitjen e një lokali në vlerë prej 150 mijë eurosh, për të cilin ishin kryer pagesa prej 80 mijë dhe 20 mijë eurosh. Sipas aktakuzës, këto mjete i dëmtuari ia kishte dorëzuar të pandehurit Pajazit Tërnava.
Më pas, sipas dosjes së Prokurorisë, për shkak të mosrealizimit të kontratës dhe pretendimeve për pagesa të papërfunduara, i dëmtuari ishte vënë nën presion dhe ishte detyruar të merrte para borxh dhe me fajde, duke pësuar dëm mbi 100 mijë euro.
Në të njëjtin rast, Arben Gashi akuzohet se ka detyruar të dëmtuarin të paguajë shuma të mëdha parash, duke pretenduar se ishte dëmtuar nga mosrealizimi i kontratës për lokalin. Sipas aktakuzës, ai kishte kërkuar shumën prej 212 mijë eurosh dhe dyshohet se kishte përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarit.
Ndërkaq, Milazim Ahmeti akuzohet për veprën penale “fajdeja”. Prokuroria pretendon se ai i kishte dhënë të dëmtuarit 19 mijë euro borxh, ndërsa më pas e kishte detyruar të paguante shumëfishin e kësaj shume në emër të fajdesë, përfshirë pagesa javore apo mujore prej 500, 700 dhe 1,500 eurosh.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari është detyruar edhe të nënshkruajë një deklaratë noteriale për shitjen e një veture, e cila dyshohet se paraprakisht i ishte marrë në emër të borxhit.
Milazim Ahmeti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas dosjes, tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat kryesore, ndërsa Ahmeti e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Rasti pritet të trajtohet në procedurë gjyqësore, ndërsa të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në vendim të formës së prerë nga gjykata.