Autoritetet austriake kanë arrestuar një 39-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në një rast të rëndë të kontaminimit të ushqimit për foshnja me helm për minj.
Rasti ka shkaktuar shqetësim në disa vende evropiane, pasi në Burgenland të Austrisë është gjetur një kavanoz me pure karrote dhe patate që dyshohet se përmbante substancë helmuese. Pas këtij zbulimi, kompania prodhuese HiPP ka tërhequr nga tregu një seri produktesh për fëmijë.
Sipas autoriteteve, deri më tani janë identifikuar të paktën pesë kavanoza të kontaminuar në Austri, Çeki dhe Sllovaki, para se produktet të konsumoheshin.
Mediat austriake raportojnë se kompania kishte pranuar edhe një email me kërkesë për 2 milionë euro, por mesazhi nuk ishte vërejtur me kohë, pasi adresa kontrollohej vetëm herë pas here.
Policia e Burgenlandit ka konfirmuar arrestimin, ndërsa ka bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se për momentin nuk mund të jepen detaje të tjera.
Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të ketë ende kavanoza të dyshuar në qarkullim. Prindërit janë këshilluar të kontrollojnë me kujdes produktet, sidomos nëse kapaku duket i dëmtuar apo i hapur.
Institucionet shëndetësore në Austri kanë bërë thirrje që, në rast se fëmijët shfaqin simptoma të pazakonta, si dobësi e theksuar apo shenja gjakderdhjeje, prindërit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.