Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 21 shtatorit në fshatin Prelez i Muhaxherëve, përgjatë magjistrales Ferizaj–Prishtinë, ku një 32-vjeçar dyshohet se është sulmuar me kaçavidë nga dy persona.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, rasti ka ndodhur rreth orës 22:40, në afërsi të kafiterisë “VB-OIL”.
Viktima, Driton Nuha, 32 vjeç, ka deklaruar se është sulmuar brenda kafiterisë nga dy persona, të cilët dyshohet se e kanë goditur me kaçavidë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas sulmit, 32-vjeçari është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ku ka marrë trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Me udhëzim të tij, është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet po vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve, ndërsa dy personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar dhe lokalizuar.