Një operacion antidrogë i koduar “Cleaning 5” ka goditur një grup të dyshuar kriminal, i cili dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të frekuentuara nga të rinjtë.
Policia ka ekzekutuar gjithsej 17 masa sigurie, prej tyre 13 masa “Arrest në burg” dhe 4 masa “Arrest në shtëpi”, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike me qëllim shitjen e tyre kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe Manzë, si dhe në vende të tjera ku qëndrojnë të rinjtë.
Gjatë operacionit, blutë kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe kanabisi, tri armë zjarri, një shumë të konsiderueshme parash, automjete dhe telefona celularë.
Operacioni është finalizuar nga strukturat e Policisë së Durrësit, përkatësisht specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat e posaçme Operacionale, “Shqiponja”, Stacionin e Policisë Manzë dhe Komisariatin e Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Sipas Policisë, operacioni erdhi pas hetimeve disamujore të zhvilluara në kuadër të dy procedimeve penale, me fokus identifikimin dhe ndalimin e personave që ushtrojnë veprimtari kriminale pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.
Të arrestuarit, banues në Durrës, Kavajë, Shijak, si dhe në fshatra të njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj, dyshohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.