27.06.2026
4 mins read

“Revolucioni i Flamingove”/ Shqipëria heton dyshimet për përfshirje të Iranit në protesta

Institucionet shqiptare kanë nisur monitorimin dhe hetimin e personave që dyshohet se kanë lidhje me Iranin dhe që mund të jenë duke shfrytëzuar protestat e zhvilluara në vend gjatë 27 ditëve të fundit, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Që në fillim të protestave, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas tyre mund të qëndrojnë interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Deri tani, Rama ka përmendur publikisht dy persona, të cilët i ka lidhur me regjimin iranian: Ikballe Hudutin dhe Dritan Goxhajn.

Huduti, predikuese fetare nga Kosova e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara, është akuzuar nga Rama për lidhje me regjimin iranian. Kryeministri publikoi edhe fotografi të saj me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad. Pas këtyre zhvillimeve, autoritetet shqiptare i ndaluan hyrjen në Shqipëri për 15 vjet, duke e cilësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, Dritan Goxhaj, i cili ka lexuar pesë kërkesat e protestuesve gjatë tubimeve, u cilësua nga Rama si “zëdhënës i interesave iraniane”. Kryeministri publikoi gjithashtu postime nga një llogari që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, ku shfaqeshin qëndrime kundër politikave të SHBA-së dhe Izraelit, si dhe mesazhe mbështetëse për Iranin dhe Hezbollahun.

Të enjten, Policia e Shtetit procedoi penalisht Goxhajn dhe dhjetë persona të tjerë, nën dyshimet për veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike. Sipas policisë, protestuesit kanë devijuar nga itineraret e njoftuara zyrtarisht, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve.

Nga kundërshtimi për Zvërnecin te kërkesat politike

Protestat, të cilat janë pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, nisën si reagim kundër projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës. Me kalimin e ditëve, ato morën karakter më të gjerë, duke përfshirë kërkesa për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin urban, menaxhimin e territorit dhe reforma politike.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e kabinetit qeveritar, krijimi i një qeverie teknike njëvjeçare, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate, reforma zgjedhore dhe shfuqizimi i disa ligjeve, përfshirë atë për investimet strategjike dhe të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”.

Qeveria: Po monitorojmë çdo rrezik për sigurinë

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria shqiptare deklaroi se pretendimet e kryeministrit mbështeten në informacione të verifikuara.

Sipas ekzekutivit, institucionet shqiptare do të vazhdojnë monitorimin dhe do të ndërmarrin masa parandaluese ndaj çdo personi apo aktiviteti që cenon sigurinë kombëtare.

“Siguria kombëtare dhe interesi publik janë mbi çdo interes tjetër”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Protestuesit mohojnë çdo agjendë të fshehtë

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, një nga zërat kryesorë të protestave, deklaroi se nuk është e mundur të dihet nëse individë të caktuar kanë agjenda të fshehta, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e institucioneve.

Ajo shtoi se qëndrimet e individëve nuk përfaqësojnë shumicën e protestuesve, të cilët, sipas saj, kanë dalë në rrugë për mbrojtjen e natyrës dhe për realizimin e pesë kërkesave të bëra publike.

Vatnikaj kritikoi gjithashtu faktin që, sipas saj, kryeministri po fokusohet te persona të veçantë në vend që t’u përgjigjet kërkesave të protestuesve.

Ish-kreu i SHISH: Dyshimet duhen hetuar me fakte

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, tha se Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj ndikimit iranian për shkak të sulmeve të mëparshme kibernetike dhe pranisë së rreth 3.000 anëtarëve të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK), të strehuar në Shqipëri.

Ai kujtoi sulmet kibernetike të vitit 2022, për të cilat Tirana akuzoi Teheranin, si dhe mbështetjen që NATO i dha Shqipërisë për përballimin e tyre.

Megjithatë, Ajazi Lika theksoi se çdo pretendim për ndikim iranian në protesta duhet të mbështetet në prova konkrete ose në dyshime të bazuara dhe të hetohet nga organet ligjzbatuese.

Marrëdhëniet Shqipëri-Iran mbeten të tensionuara

Tensionet mes Tiranës dhe Teheranit janë përshkallëzuar që nga viti 2013, kur Shqipëria pranoi të strehonte anëtarët e MEK-ut. Marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë zyrtarisht në vitin 2022, pasi Shqipëria akuzoi Iranin për sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë që e shpall Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”. Po atë muaj, Kuvendi dhe Posta Shqiptare u goditën nga sulme kibernetike, të cilat u morën përsipër nga grupi Homeland Justice, që sipas analizave të Microsoft lidhet me Qeverinë iraniane.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë paralajmëroi në prill për rrezikun e veprimeve nga grupe të lidhura me Iranin kundër interesave amerikane dhe opozitës iraniane në Shqipëri, ndërsa autoritetet shqiptare i cilësuan ato si vlerësime të pambështetura në informacion konkret.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Auditimi zbulon barna të skaduara në vlerë 95 mijë euro në regjistrat e Ministrisë së Shëndetësisë

Next Story

Keqpërdorime masive me tenderë dhe paranë publike, këto janë të gjeturat e Auditorit në qeverisjen e Agim Aliut në Ferizaj

Latest from Blog

Go toTop