10.06.2026
2 mins read

Rama paralajmëron shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet në një të ardhme të afërt, duke theksuar se ky veprim vjen edhe pas shqetësimeve të ngritura nga Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për media me gazetarë nga vendet e BE-së, Rama deklaroi se ligji e ka përmbushur qëllimin për të cilin ishte miratuar dhe se Shqipëria nuk ka më nevojë për të në formën aktuale.

“Ligji nuk ka qenë kurrë i padrejtë, por e ka përmbushur misionin e vet. Nuk kemi arsye të luftojmë për ta mbajtur në fuqi dhe jemi duke punuar për një ligj të ri investimesh në bashkëpunim me Komisionin Evropian”, tha Rama.

Ai mohoi që vendimi të ketë lidhje me protestat që po zhvillohen kundër projekteve turistike në Zvërnec, duke insistuar se procesi për zëvendësimin e ligjit ka qenë i planifikuar prej kohësh.

Ligji për Investimet Strategjike u miratua në vitin 2015 dhe që atëherë afati i tij është shtyrë gjashtë herë. Ai u ka ofruar investitorëve të përzgjedhur lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të tokës publike apo ndërhyrjen e shtetit në proceset e shpronësimit.

Bashkimi Evropian ka kërkuar prej vitesh rishikimin e këtij ligji, duke argumentuar se ai krijon trajtim preferencial për investitorët strategjikë dhe ngre pikëpyetje për transparencën e procesit, veçanërisht në zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë.

Debati është intensifikuar sidomos pas kundërshtimeve ndaj projekteve të planifikuara në Zvërnec, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike. Protestuesit kanë kërkuar ndërprerjen e ndërtimeve dhe shfuqizimin e ligjit, duke paralajmëruar për rrezikun që investimet e mëdha mund t’i shkaktojnë mjedisit.

Rama mbrojti rolin që ligji ka pasur në tërheqjen e investimeve të huaja, por tha se Shqipëria tashmë është në një fazë tjetër zhvillimi dhe se investitorët e mëdhenj nuk kanë më nevojë për privilegjet që ofron ky mekanizëm.

Kryeministri shtoi se nëse ligji i ri për investimet përfundon brenda këtij viti dhe merr miratimin e Komisionit Evropian, ai mund të zëvendësojë ligjin aktual para afatit të paraparë.

Sa i përket projekteve të lidhura me investitorin amerikan Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec, Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar për ndërtim dhe se deri më tani bëhet fjalë vetëm për ide dhe vizione paraprake, ndërsa procedurat përkatëse ende nuk kanë përfunduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Pas 18 vjetësh në heshtje, pacientja rikthen dëgjimin falë një operacioni në QKUK

Next Story

Kush janë pesë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes në Shtime?

Latest from Blog

Go toTop