Dy ditë para nisjes së fushatës zgjedhore, Qeveria në detyrë ka ndarë 2 milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për mërgatën.
Vendimi është marrë në një mbledhje të Qeverisë, të zhvilluar në formë elektronike.
Përveç kësaj shume, Qeveria ka ndarë edhe mjete të tjera buxhetore, siç është thënë, me qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, 8 mijë euro janë ndarë për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, që do të mbahet më 21 korrik në Shangai të Kinës.
Po ashtu, 70 mijë e 876 euro e 79 centë janë ndarë për “Kosova Global Talent Center”, për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në korrik 2026.
Ndërkaq, 3 mijë e 500 euro janë ndarë për Shoqatën e Kimistëve të Kosovës, për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, që do të mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka aprovuar edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.