Pesë persona janë arrestuar në një operacion të gjerë të zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në disa lokacione të ndryshme të vendit, ku janë kryer edhe kontrolle me urdhër të autoriteteve kompetente. Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Burime të KOHË-s bëjnë të ditur se operacioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe është zhvilluar, ndër të tjera, në komunën e Shtërpcës dhe në rajonin e Anamoravës.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se deri më tani janë arrestuar pesë persona, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.
Për të dhënë më shumë detaje rreth operacionit dhe ecurisë së hetimeve, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë paralajmëruar një konferencë për media, e cila do të mbahet sot në orën 13:00, në katin e gjashtë të objektit të Prokurorisë Speciale.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e të arrestuarve, ndërsa pritet që informacione shtesë të publikohen pas konferencës për media.