Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar të shtunën punimet në disa segmente rrugore, ndërsa ka theksuar rëndësinë e lidhjes më të mirë infrastrukturore mes Shtimes dhe Suharekës.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se segmenti rrugor Rancë–Greiçec, me gjatësi mbi tre kilometra, do të ndihmojë në lidhjen e këtyre dy komunave, të cilat, sipas tij, kanë mbetur disi të izoluara nga Autostrada e Kombit “Ibrahim Rugova”.
Ai u shpreh se ky projekt do ta lehtësojë qarkullimin për qytetarët, bizneset dhe turistët, duke shtuar se Suhareka dhe Shtimja kanë potencial të rëndësishëm natyror, kulturor dhe ekonomik.
Kurti po ashtu paralajmëroi edhe ndërtimin e autostradës Duhël–Banullë, e cila pritet të kalojë nga komuna e Suharekës, përmes Shtimes, deri në Banullë të Lipjanit.