Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave të luftës, të cilat lidhen me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, anëtarët e të cilit ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.
Sipas Kurtit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është njoftuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) për pranimin e tri raporteve të para të ADN-së. Mostrat ishin marrë nga mbetjet mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
“Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica”, ka deklaruar Kurti.
Raportet janë përcjellë në Institutin për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Institutit dhe të Komisionit Qeveritar kanë njoftuar familjarët e tri viktimave për rezultatet e identifikimit.
Kryeministri ka bërë të ditur se priten edhe raporte të tjera të ADN-së për mostrat e dërguara për analizë, duke shprehur shpresën se familje të tjera do të mund të marrin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur gjatë luftës.
“Njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka shkruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër, ndërsa ka kërkuar angazhim më të madh ndërkombëtar për çështjen e personave të zhdukur.
Kurti u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar që të rrisin trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023.
Në veçanti, ai ka kërkuar hapjen e arkivave dhe sigurimin e dokumentacionit që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë dokumentet e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Kurti pretendon se kjo brigadë ishte përfshirë në krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës.
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka deklaruar ai.
Kurti ka paralajmëruar se çështjen e personave të zhdukur do ta adresojë edhe gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe takimeve ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetje për hapjen e arkivave në Serbi dhe sigurimin e informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.