Një incident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në Emergjencën e QKUK-së në Prishtinë, ku një person i dyshuar për sjellje agresive ndaj stafit mjekësor ka sulmuar fizikisht edhe zyrtarët policorë, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 07:30, pasi V.M., 32-vjeçar, ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Prishtinë.
Sipas burimeve, gjatë trajtimit mjekësor ai dyshohet se ishte nën ndikim të alkoolit dhe kishte shfaqur sjellje agresive ndaj personelit shëndetësor.
Fillimisht kanë intervenuar zyrtarët policorë që ndodheshin në punë sekondare në QKUK, duke tentuar ta qetësojnë situatën, por i dyshuari ka vazhduar me sjellje agresive edhe ndaj tyre.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, është kërkuar asistencë shtesë nga njësitë policore.
Gjatë përpjekjes për ta shoqëruar në stacion policor, 32-vjeçari dyshohet se ka kundërshtuar urdhrat e policisë dhe ka bërë rezistencë aktive.
Në përleshje e sipër, ai dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë, ndërsa njërin prej tyre e ka kafshuar në dorë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Edhe polici tjetër ka pësuar lëndime në duar gjatë intervenimit.
Të dy zyrtarët policorë kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas arrestimit, është shoqëruar në stacion policor dhe më pas, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në qendrën e ndalimit.
Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe po hetohet nga organet kompetente.