Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion të gjerë policor në disa lokacione të vendit, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Aksioni po realizohet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhëresave të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas autoriteteve, operacioni lidhet me hetime për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe dyshime për përfshirje në aktivitete të organizuara kriminale. Hetimet përfshijnë vepra penale si organizimi dhe pjesëmarrja në grupe kriminale, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, si dhe pastrimi i parave.
Në këtë aksion po marrin pjesë edhe zyrtarë të Europol-it, si dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda, duke e bërë operacionin një bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se pas përfundimit të veprimeve në terren do të publikojnë një komunikatë të përbashkët me informacione më të detajuara rreth rezultateve dhe zhvillimeve të operacionit.