01.04.2026
2 mins read

Dëshmia që trazoi sallën e gjyqit: Eksperti nxjerr prapaskenat e kontratës milionëshe, në gjyqin ndaj Pal Lekajt

Gjykimi në rastin e njohur si “53-milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltari i tij politik Eset Berisha, si dhe Nebih Shatri e Besim Tahiri, ka vazhduar më 31 mars 2026 me elaborimin e ekspertizës financiare nga eksperti Naser Rusinovci.

Në seancën e së martës, eksperti Rusinovci iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes dhe theksoi se për këtë çështje është dashur të hetohet e gjithë dosja e tenderit, pasi sipas tij, baza e pretendimeve për “53 milionë eurot” është krijuar që në fazat fillestare të projektit. Ai tha se oferta fillestare e operatorit ekonomik kishte qenë 497 milionë euro, ndërsa kontrata më pas kishte shkuar në afro 599 milionë euro.

Sipas ekspertit, mbi 100 milionë euro shtesë janë krijuar gjatë rrjedhës së projektit, përfshirë mbi 44 milionë euro nga urdhër-ndryshimet, ndërsa tha se edhe baza e shumës prej 53 milionë eurosh lidhet me fillimin e kontratës dhe jo vetëm me fazat e mëvonshme. Ai vlerësoi se rasti duhej trajtuar në tërësi, bashkë me dokumentacionin e plotë të tenderit.

Rusinovci deklaroi se kompania “Bechtel & Enka” e kishte për obligim projektimin, furnizimin dhe ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, ndërsa pagesat, sipas modelit të kontratës, është dashur të bëheshin pas certifikimit dhe përfundimit të punëve. Ai shtoi se operatori ekonomik kishte kërkuar vazhdimisht planin e pagesave, që nga viti 2014, për të ditur afatet dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre.

Eksperti bëri të ditur se për shkak të vëllimit të madh të lëndës kishte kërkuar që ekipit të ekspertëve financiarë t’i bashkohej edhe një ekspert i ndërtimtarisë, por kjo kërkesë nuk ishte miratuar nga Gjykata. Ai tha se, pavarësisht kësaj, ekspertiza është hartuar duke iu përmbajtur detyrave të caktuara nga gjykata.

Pasi përfundoi orari i punës, seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj u caktua për muajin prill, kur pritet të vijojë elaborimi i ekspertizës financiare.

Ky rast po trajtohet në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rishqyrtim dhe kishte rekomanduar, ndër të tjera, edhe caktimin e ekspertizës financiare. Ndryshe, më 31 janar 2024, Gjykata Themelore i kishte shpallur fajtorë Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, por ky aktgjykim më pas ishte rrëzuar nga Apeli për shkak të një vargu shkeljesh të konstatuara në procedurë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare në lidhje me marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i hapur rrugë pagesës prej 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”. Prokuroria pretendon se me këtë veprim buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej rreth 38 milionë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ky është i dyshuari që goditi veturën e Policisë në Ferizaj

Next Story

Minatorët e Trepçës reagojnë lidhur me pagën e 13-të: Kjo është padrejtësi sistematike jemi lënë në harresë

Latest from Blog

Go toTop