Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjen që ndodhi në fshatin Zlipotok të Dragashit, pas një operacioni intensiv operativo-hetimor që u zhvillua pa ndërprerje që nga momenti i ngjarjes.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se në aksionin për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme policore. Operacioni është mbështetur edhe me dron për vëzhgim nga ajri, si dhe me njësinë policore K-9.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin e rastit.