Një operacion policor kundër fajdesë është zhvilluar në Prizren, ku janë arrestuar dy persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, nga të cilat viktima dyshohet se ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas burimeve të Sinjalit, operacioni është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në kuadër të aksionit janë arrestuar V.H. dhe D.E.
V.H. dyshohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa D.E. dyshohet për “Dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Sipas informacioneve të publikuara, të dyshuarit dyshohet se për një periudhë të vazhdueshme kanë ushtruar presion ndaj viktimës për realizimin e interesit nga fajdeja, duke e detyruar të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
Si pasojë, viktima dyshohet se ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa shuma e saktë e dëmit ende është objekt i hetimeve.
Gjatë operacionit janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në dy lokacione në fshatin Randobravë të Prizrenit, ku janë sekuestruar materiale që dyshohet se lidhen me rastin.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht mënyrën e veprimit, vlerën e dëmit dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.