Aksion i gjerë i Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Speciale është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në Prishtinë, ku disa persona janë arrestuar nën dyshimet për korrupsion, ryshfet dhe manipulime të lidhura me shpronësimin e tokave.
Sipas disa burimeve të afërta me hetimin, aksioni është ndërmarrë pas zgjerimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Të dyshuarit dyshohet se kanë bashkëvepruar në kundërshtim me ligjin në procedura që lidhen me shpronësime pronash.
Në mesin e të arrestuarve janë:
– Shaban Syla rreth 69 vjeç
– Halil Mustafa rreth 66 vjeç
– Vegim Gashi rreth 63 vjeç
– Hajrullah Muli rreth 62 vjeç
– Avdi Pireva rreth 57 vjeç
– Nexhat Raifi rreth 60 vjeç
– Nexhmije Karaqi rreth 60 vjeç
Gjatë operacionit, hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë kryer kontrolle në tetë lokacione në Prishtinë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 10 telefona, 4 laptopë, një kompjuter, një USB, 6 mijë e 450 euro para të gatshme, si dhe dokumentacion që dyshohet se lidhet me rastin nën hetim.
Personat e arrestuar janë shoqëruar në objektet policore, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të Prokurorit Special, ata janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.