Një motoçiklist ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës, më 24 tetor 2026, si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në rrugën Prishtinë–Ferizaj, në fshatin Llapnasellë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:11, pranë objektit “Day to Day”, ku janë përfshirë një motoçikletë Yamaha dhe dy automjete, Volkswagen Passat dhe BMW.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, motoçiklisti, i cili dyshohet të ketë qenë rreth 30 vjeç, ka pësuar lëndime fatale. Ekipi mjekësor që ka mbërritur në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit e trafikut, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për autopsi.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.