Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 12 maj 2026 janë konfirmuar 14 raste me fruth në vend.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, Ferizaj prin me numrin më të madh të rasteve, gjithsej pesë. Prishtina dhe Kaçaniku kanë nga tri raste, ndërsa nga një rast është konfirmuar në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
IKSHPK ka bërë të ditur se të gjithë personat e prekur janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Po ashtu, të gjitha rastet kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
“Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi”, thuhet në njoftimin e Institutit.
IKSHPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se nuk janë vaksinuar, t’i drejtohen qendrave më të afërta të mjekësisë familjare.
Instituti po ashtu ka rekomanduar që qytetarët të shmangin kontaktet me persona që shfaqin simptoma të fruthit, si temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë. Personat që kanë simptoma të dyshimta këshillohen të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Sipas IKSHPK-së, situata epidemiologjike është nën mbikëqyrje aktive, ndërsa institucionet shëndetësore po ndërmarrin masa në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin mobil në komunitet.