Një ngjarje tragjike ka tronditur San Diego, ku një sulm me armë në Qendrën Islamike të qytetit la të vdekur tre persona, mes tyre edhe roja e sigurisë që po cilësohet hero nga autoritetet dhe komuniteti lokal.
Viktima kryesore, Amin Abdullah, baba i tetë fëmijëve, humbi jetën teksa përpiqej të mbronte besimtarët gjatë sulmit. Sipas policisë, reagimi i tij i shpejtë ndihmoi në shmangien e një tragjedie edhe më të madhe, pasi në objekt ndodheshin edhe dhjetëra fëmijë.
“Shembulli i tij ishte heroik. Pa dyshim, ai shpëtoi jetë”, deklaroi shefi i policisë së San Diegos, Scott Wahl.
Komuniteti mysliman në qytet e përshkroi Abdullahun si një person të dashur dhe gjithmonë mikpritës ndaj vizitorëve të xhamisë. Në sulm humbën jetën edhe dy besimtarë të tjerë, Mansour Kaziha dhe Nader Awad, të cilët sipas raportimeve tentuan gjithashtu të ndalonin sulmuesit.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se dy autorët e dyshuar, 17 dhe 18 vjeç, u gjetën më vonë të vdekur nga plagë të vetëshkaktuara, ndërsa rasti po hetohet si sulm i mundshëm i motivuar nga urrejtja fetare. Hetuesit kanë gjetur materiale me përmbajtje anti-muslimane dhe simbole naziste.
Sulmi ka nxitur reagime të shumta në SHBA. Zëvendëspresidenti JD Vance e dënoi ashpër ngjarjen, duke bërë thirrje për unitet dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes.
Ndërkohë, për familjen e Amin Abdullahut është hapur një fond ndihme online, i cili sipas raportimeve ka mbledhur mbi 1.6 milionë dollarë në pak më shumë se 24 orë.