Kosova vazhdon të përballet me një hendek të madh ndërmjet importeve dhe eksporteve. Vetëm gjatë shtatorit të vitit 2026, vendi ka importuar mallra në vlerë prej 643,4 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 109,4 milionë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar ka arritur në 534 milionë euro, duke shënuar rritje prej 2,6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Megjithëse eksportet kanë regjistruar rritje prej 27,5 për qind dhe importet prej 6,1 për qind, bilanci tregtar mbetet dukshëm negativ. Eksportet mbulojnë vetëm 17 për qind të vlerës së mallrave të importuara.
Sa u përket kategorive të produkteve, mallrat minerale zënë pjesën më të madhe të importeve, ndërsa metalet bazë dominojnë eksportet e Kosovës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 43,7 për qind e importeve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa vendet anëtare të CEFTA-s përbëjnë tregun kryesor të eksporteve kosovare, me 50,8 për qind të totalit.
Këto shifra dëshmojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve, ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë varësi të lartë nga mallrat e importuara.