Një ndjekje policore në fshatin Llaushë të Skenderajt ka përfunduar me aksident, ku dy zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar, ndërsa drejtuesi i veturës së dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 24 tetor, rreth orës 21:45, pasi një patrullë policore kishte vërejtur një automjet që po lëvizte në mënyrë të rrezikshme.
Pavarësisht sinjalit të Policisë për t’u ndalur, shoferi ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi. Gjatë ndjekjes, dyshohet se ai ka goditur veturën zyrtare të Policisë, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke shkaktuar përplasjen e saj me një shtyllë elektrike.
Si pasojë, dy policë kanë pësuar lëndime trupore. Ata kanë marrë trajtim mjekësor në Skenderaj dhe më pas në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, nga ku janë liruar.
Ndërkohë, shoferi është larguar nga vendi i aksidentit. Vetura e dyshuar është gjetur më vonë e dëmtuar dhe e braktisur në fshatin Rezallë.
Gjatë hetimeve, pronari i automjetit ka deklaruar se veturën e kishte lënë te një mekanik. Ky i fundit ka pohuar se automjeti ishte parkuar para garazhit, me çelësat brenda, dhe dyshon se dikush e kishte marrë pa autorizim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.