Studentët e Mjekësisë dhe profesionistët shëndetësorë në Kosovë kanë nisur një iniciativë për përmirësimin e kushteve të punës, punësimit dhe zhvillimit profesional, duke u drejtuar institucioneve të vendit me tetë kërkesa konkrete.
Përmes kësaj nisme, ata kanë kërkuar trajtim të dinjitetshëm, mundësi punësimi dhe perspektivë më të sigurt profesionale, duke theksuar vështirësitë me të cilat përballen mjekët e rinj, përfshirë stazhin pa pagesë, papunësinë dhe mungesën e mundësive për specializim.
Iniciativa synon gjithashtu të tërheqë vëmendjen ndaj largimit të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, si pasojë e mungesës së perspektivës.
Institucioneve u është dhënë afat deri më 6 nëntor për t’iu përgjigjur kërkesave, ndërsa organizatorët e nismës kanë bërë thirrje për mbështetje dhe bashkim të profesionistëve të sektorit shëndetësor.