Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, është parë në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në shoqërinë e Danilo Vuçiçit, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Sipas televizionit serb N1, Radoiçiç dhe Danilo Vuçiç janë parë së bashku gjatë tubimit të organizuar në Kragujevc të Serbisë, raporton KosovaPress.
Radoiçiç, ndaj të cilit autoritetet e Kosovës kanë ngritur akuza lidhur me sulmin në Banjskë, vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi, pavarësisht se ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Ngjarja u cilësua nga institucionet e Kosovës si sulm terrorist, me synim destabilizimin e vendit dhe cenimin e sovranitetit të tij.
Pavarësisht pranimit të përgjegjësisë, Radoiçiç u lirua nga autoritetet serbe pas marrjes në pyetje në Beograd në vitin 2023 dhe vazhdon të jetë në liri.
Ndërkohë, në procesin gjyqësor në Kosovë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënime me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviçit dhe Vladimir Toliçit, ndërsa Dushan Maksimoviç është dënuar me 30 vjet burgim.
Tre të dënuarit janë pjesë e grupit prej 42 personash të akuzuar për sulmin në Banjskë, mes të cilëve edhe Milan Radoiçiç.
Shfaqja e Radoiçiçit në një tubim politik të partisë në pushtet në Serbi, përkrah djalit të presidentit Vuçiç, vjen ndërkohë që ai vazhdon t’i shmanget përballjes me drejtësinë e Kosovës për sulmin e shtatorit 2023.