Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në çështjen që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas vendimit të fundit për rishikimin e paraburgimit, të datës 30 shtator 2026, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që, sipas vlerësimit të tij, Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale.
Në shqyrtimin e masës së paraburgimit është marrë parasysh edhe shpallja fajtor dhe dënimi i Thaçit në çështjen KSC-BC-2020-06.
“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Rrjedhimisht, gjykatësi urdhëroi që Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë, ndërsa masa do t’i nënshtrohet rishikimeve të mëtejshme periodike.